Teuta me hap kryesuesi, mposht Dinamon

Abissnet Superiore | 30 minuta më parë

Një Teutë e shkëlqyer gjunjëzoi plotësisht Dinamon në ndeshjen e parë të javës së shtatë të kampionatit, luajtur të premten në “Elbasan Arena”. Nga një gol për çdo pjesë loje u dha fitoren 2-0 durrsakëve, që kryesojnë plot meritë kampionatin, me gjashtë suksese radhazi pas barazimit në javën e parë.

Pas rastit të Arifit për durrsakët, që gjuan mbi tra në minutën e tetë, Dinamo rrezikon me Alijin, me një goditje të lirë, e më pas vjen një tentativë e Ismailit, por ajo që luan qartë në fushë është skuadra mike. Dinamo është shumë konfuze, krejtësisht jashtë lojës së saj, ndërsa Teuta është agresive për çdo top dhe del në sulm me kombinime të sakta.

Me një të tillë nga e majta, Mala fton Pedron që shënon golin e parë, në minutën e 31-të. Tetë minuta më pas ishte mundësia për dyfishim, por Teqja e më pas Aliji i mohojnë golin. Dinamo ka pretendime për një penallti në minutën e dytë shtesë, për një aksion të gjykuar si jashtë loje, ashtu si dhe një gol i Teutës në minutën e 50-të.

Për durrsakët goli i dytë erdhi në minutën e 63-të, këtë herë me aksion nga e djathta, mbyllur me gjuajtjen e saktë të Arifit. Dinamo është thuajse e ngurosur dhe arrin të zgjohet vetëm në 10 minutat e fundit të takimit, kur jep shenja jete në minutat 82 e 84. Më tej asgjë dhe detyrohet të pranojë supermacinë e Teutës, deri tani Mbretëreshë e kampionatit.

Teuta mban vendin e parë me 19 pikë, Dinamo në vend të tretë me 12 pikë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme