Wesley Clark vazhdon dëshminë në Hagë: UÇK-ja nuk ka kryer spastrim etnik

Ish-komandant suprem i Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, për Evropën, ka vijuar ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Clark ka folur për takimin që kishte zhvilluar me Thaçin gjatë negociatave të Rambujes, duke theksuar se nuk kishte instrumente për të bashkëpunuar me UÇK-në, por se takimi ishte i domosdoshëm për shkak të rrethanave dhe disponueshmërisë së tyre.
Ai sqaroi se nuk e dinte se si ishte armatosur UÇK-ja, por besonte se kishte siguruar armatime dhe kishte bërë rekrutime, pasi pala serbe refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e Rambujes.
Clark i qëndroi deklaratave të mëparshme se dhuna e verës dhe vjeshtës së vitit 1999 në Kosovë ishte një konflikt personal mes fqinjëve dhe se udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin përgjegjësi për të.
I pyetur për një deklaratë të tij në gazetën “Shekulli” në vitin 1999, ku kishte thënë se nuk kishte prova që UÇK-ja kishte kryer spastrim etnik ndaj serbëve, Clark përsëriti se nuk kishte dëshmi për këtë, madje kishte indikacione që tregonin të kundërtën.
Ai iu referua pretendimeve të asaj kohe për dëbimin e rreth 170 mijë serbëve, duke theksuar se nuk kishte prova që UÇK-ja ishte përgjegjëse.
Në dëshminë e tij, Wesley Clark, gjeneral i pensionuar amerikan, në Hagë foli edhe për shqetësimet e tij në vitet 1999–2000 lidhur me vendosjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë dhe mundësinë që Serbia të tentonte rikthimin.
Ai sqaroi se nuk mendonte se Serbia do të kthehej, por si gjeneral ishte detyra e tij të vlerësonte rreziqet, pasi nuk kishte marrëveshje paqeje deri në shtator 1999, ndërsa sipas tij, situata e pasigurt vazhdoi deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Ish-Gjenerali amerikan përmendi edhe rolin negativ të Rusisë, e cila sipas tij kishte synim të diskreditonte operacionin e NATO-s në Kosovë.
“Isha i shqetësuar se ishte përgjegjësi e imja. Se kur përfundoj ky konflikt përfundoj me orvatjet e Rusisë për të diskredituar dhe për të shkatërruar operacionin e NATO-s. Ne asnjë herë se kemi zbuluar deri në fund të vërtetën pas rastit të aeroportit. Ne e dinim që gjeneral-koloneli Ivanov që ishte një prej udhëheqësve të asaj kohe është dekoruar nga Kremlini për këtë operacion i cili është konsideruar prej tyre si një sukses i jashtëzakonshëm. Por falë Majk Xhaksonit që ishte ne teren rusët ishin disi të kapur mat në aeroport e në mëngjesin e 11 qershorit ditë e premte ne filluam që të merrnim informacion që nuk bëhet fjalë vetëm për një batalion po bëhej fjalë për një planë të tërë të hollësishëm pas operacionit ku ideja e këtij divizioni rus të përgatitur ishte të hyjë në Kosovë”
Clark kujtoi rastin e aeroportit të Prishtinës, ku forcat ruse kishin tentuar të hynin në Kosovë, duke e cilësuar si një operacion të planifikuar në detaje, por që u neutralizua falë ndërhyrjes së komandantit britanik Mike Jackson.
Ai theksoi se përgjegjësia e tij si gjeneral ishte të siguronte që Serbia të mos kthehej më në Kosovë, duke zbatuar përvoja të fituara nga operacionet e mëparshme në Vietnam, Haiti dhe Bosnjë. Clark e cilësoi Slobodan Millosheviqin si një figurë dinake, por shtoi se Serbia nuk kishte mundësi të rikthehej pas përfundimit të luftës.
Në vijim të dëshmisë, Clark tha se Hashim Thaçi nuk ishte komandant ushtarak i UÇK-së dhe se gabimet e individëve nuk duhen atribuar atij, pasi sipas tij Thaçi nuk kishte kontroll mbi persona që mund të kenë kryer akte dhune.
Gjeneral Clark tha se ishte pjesë e përgjegjësive të tij si gjeneral që të merrte të gjitha përgjegjësit dhe të bënte të gjitha planifikimet e nevojshme në mënyrë të tillë që të sigurohej që Serbia nuk do të kthehej më në Kosovë.
“Për komandën e NATO-s ishte që ne do bënim çdo gjë që ishte e mundur që t’ia dilnim mbanë me operacionin tonë, që në fillim fare unë kam zbatuar ato zgjidhje që i kam nxjerr nga përvoja ime në Vietnam nga përvoja ime ushtarake nga Haiti nga operacionet në Bosnjë”, tha ai.
Gjenerali Clark tha se gjatë viteve të luftës në Kosovë, ishte i përgatitur për çdo sulm që forcat e regjimit serb mund të bënin ndaj popullit kosovar.
“Ne do të bënim çfarëdo që mundnim, për të arritur misionin tonë”, tha Clark. Pos tjerash, ai tha se në Kosovë, nuk kishte marrëveshje paqeje deri në shtator të vitit 1999, madje siç thotë Clark, një situatë e ngjashme vazhdoi deri në shpalljen e Pavarësisë së vendit në 2008-ën.
Gjenerali Clark pritet të jetë dëshmitari i fundit në këtë proces, pas së cilës çështja do të kalojë në fazën përfundimtare të përmbylljeve nga palët, përpara shpalljes së vendimit nga trupi gjykues. Pas përfundimit të dëshmisë së tij, më 19 nëntor do të mbahet Konferenca për ecurinë e çështjes, ndërsa seanca e planifikuar për 21 nëntor është anuluar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




