Nderoi Jasharët – Lideri i opozitës serbe pjesërisht i paralizuar pas sulmit, thotë familja

Serbi | 3 vite më parë

Lideri i opozitës në Serbi, Nikola Sanduloviq (o. Sandulović) raportohet se ka mbetur pjesërisht i paralizuar dhe familja e tij akuzon shërbimet sekrete vendase se e kanë keqtrajtuar.

Sanduloviqi u shoqërua nga policia më 3 janar, pasi postoi një video nga viti i kaluar kur kreu homazhet në varrin e Adem Jasharit, për të kërkuar falje për krimet e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Të mërkurën, pas pesë ditësh, familja e tij u lejua ta vizitojë dhe vajza e tij, Karla, kërkoi që i ati të transferohej në një spital civil, jo në godinën ushtarake ku po mbahej në Beograd.

“Mund të flasë, por është paralizuar plotësisht në anën e djathtë. Është me karrocë dhe në gjendje shumë, shumë të keqe shëndetësore,” njoftoi vajza e tij nëpërmjet avokatit. “U rrah keqas. Ka një brinjë të thyer. Kur u kthye në shtëpi i binin të fikët dhe ankohej se nuk e lëvizte dot pjesën e djathtë të trupit,” shtoi avokati Majkëll Polak (o. Michael) në një reagim për britaniken “The Guardian”.

Familja pretendon se ai është helmuar, por nuk mund ta vërtetojnë.

Sanduloviqi është kryetari i Partisë Republikanë të Serbisë dhe një kritik i kundërshtarëve politikë te Partia Progresive Serbe (SNS).

Një gjykatës ka urdhëruar që politikani serb të mbetet nën arrest për 30 datë, edhe pse në mungesë, me motivin se ka nxitur urrejtjen kombëtare, racore dhe fetare, shkelje e parashikuar sipas nenit 317 të Kodit Penal, ku rreziku për dënim me burg ashpërsohet nga 6 muaj deri në 5 vjet. /The Guardian

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme