Ekskluzive/ U torturua, se nderoi varrezat e Prekazit. Politikani serb: Urdhri i Vuçiqit, po bëj gjithçka që të dal i gjallë

Serbi | 3 vite më parë

Lideri i opozitës serbe, kryetari i Partisë Republikane, Nikolla Sandulloviq i cili u dhunua nga shërbimi sekret serb sepse bëri homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ka folur ekskluzivisht për emisionin “Jetë Shqiptare në RTSH”.

Ai tregoi për dhunën e përjetuar, teksa tha se pjesën e djathtë të trupit e ka thuajse të paralizuar. Ai akuzon se keqtrajtimi i tij u bë me urdhër të Presidentit Aleksandër Vuçiq.

“Kam dhimbje, kam problem anën e djathtë të trupit, jam në terapi të vazhdueshme. Nuk e lëviz dot anën e djathtë të trupit, pothuajse jam paralizuar. I gjithë keqtrajtimi që ka ndodhur ka ndodhur në Beograd, kam qenë më shumë se 6 orë i rrahur rregullisht dhe i keqtrajtuar. Ka patur një dhunë të vazhdueshme ndaj meje. Më kanë pyetur për lidhje me Albin Kurtin, Presidenten e Kosovës, Osmanin. Kemi pas problemin e urrejtjes, kam pas sharje të ndryshme nga ana e tyre, sharje nga më të rëndat. Kjo nuk mund të bëhej pa ndonjë urdhër të Aleksandër Vuçiq sepse duhet të tregohet gjithçka që është bërë dhe filmimet ndaj meje”, u shpreh ai.

Teksa falënderon popullin dhe mediat shqiptare për mbështetjen, Sandulloviq tha se po bën gjithçka “për të dalë i gjallë nga terrori i Vuçiq”.

“Dua të falënderoj popullin shqiptar dhe mediave në Shqipëri. Dua të falënderoj edhe Këshillin e Europës dhe të gjithë ata deputetë në Itali që kanë dhënë mbështetje të madhe në lidhje me këtë. Po bëj gjithçka mundem që të dal i gjallë nga ky terror nga Vuçiq. Çdo njeri normal ka një dozë të frikës, unë kam pas një vdekje klinike nga kriminelët e Vuçiq sepse vjen një moment që fillon dhe nuk ke më frikë as nga vdekja sepse gjithçka që mund t’ju sjellë një grup kriminal siç është një pjesë e qeverisë së Serbisë. Unë jam për zgjidhjen e të gjitha problemeve mes serbëve dhe shqiptarëve në të ardhmen, pavarësisht se jam etiketuar si tradhtar. Unë jam gjithmonë për paqe nëse duam të shkojmë drejt BE”, theksoi ai.

I pyetur mbi situatën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, Sandulloviq tha se i frikësohet incidenteve të tjera në vijim, duke akuzuar Vuçiq se ka mbjellë urrejtje te të rinjtë serb për Kosovën.

“Jam i merakosur për atë që shoh që mund të ketë një tjetër incident sepse kjo qeveri në Serbi ka sjellë një urrejtje të madhe nga të rinjtë në Serbi ndaj shqiptarëve, që kur Kosova ka vendosur të jetojë si shtet i pavarur. Kjo gjë nuk ka ndodhur as në kohën e Millosheviçit. Kjo është një politikë që në Ballkan po ndodh dhe si përfundim do kemi një sërë incidentesh në vijim”, tha Sandulloviq për “Jetë Shqiptare”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme