Vuçiç i kundërpërgjigjet Kosovës pas blerjes së “Javelin”: Edhe Serbia do të armatoset!

Serbi | 3 vite më parë

Seria do t’i shpenzojë rreth 740 milionë euro vetëm këtë vit për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe armatim, tha të shtunën presidenti serb Aleksandar Vuçiç, në një konferencë për shtyp në Agjencinë për Siguri Ushtarake.

Lideri serb i bëri këto komente vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara e pranuan një kërkesë nga Kosova për blerjen e raketave antitanke “Javelin”, e cila do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan. “Serbia aktualisht ka 186 milionë euro në dispozicion, të cilat do t’i shpenzojmë menjëherë për blerjen e mjeteve dhe armëve nga fabrikat vendase të industrisë së dedikuar”, tha Vuçiç.

Sipas asaj që transmeton Radio Europa e Lirë, ai njoftoi se gjatë këtij viti do të jenë gati edhe dy pako me nga 150 dhe 400 milionë euro për pajisje shtesë dhe armatim të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ato para janë ndarë përveç 360 milionë eurove të ndara në buxhetin e Serbisë për armatim shtesë, tha Vuçiç.

Duke folur për vendimin e SHBA-së për t’i shitur Kosovës 246 raketa antitank të prodhimit amerikan, si dhe pajisje përcjellëse, Vuçiç tha se kjo lëvizje është në kundërshtim me Rezolutën 1244, e cila, shtoi ai, nuk parasheh që Kosova të ketë ushtri.

“Sipas Rezolutës 1244, nuk guxon të ketë asnjë grup të shqiptarëve të armatosur të Kosovës dhe ata krijuan një ushtri për ta dhe vazhdojnë ta krijojnë atë. A jemi ne të fortë si Amerika, Anglia, Gjermania, Turqia – nuk jemi. Por, mund t’i tregojmë gjithë botës se kjo në mënyrë brutale shkel normat juridike ndërkombëtare”, tha Vuçiç.

 

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme