Rama: Shqipëria po investon për turizëm luksoz, markat e mëdha janë gati të vijnë  

Politikë | 1 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka folur në Bruksel për të ardhmen e turizmit, investimet dhe potencialin e Shqipërisë gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Turizmit 2026.

Rama u ndal te nevoja për një model të ri zhvillimi të turizmit, duke argumentuar se Shqipëria duhet të synojë gjithnjë e më shumë turistët me të ardhura të larta dhe turizmin luksoz.

“Jemi të vetëdijshëm edhe për anët jo fort pozitive dhe një prej tyre është se, duke pasur një turizëm që zhvillohet mbi turistin me të ardhura të ulëta, të mesme, rrezikojmë që të mos marrim mbrapsht atë që mundemi. Ndërkohë që, po të investojmë që të ndërtohet mbi të ardhurat e larta, turizmin luksoz, ne ulim trysninë mbi vendin dhe marrim mbrapsht”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria po orienton investimet drejt krijimit të një oferte turistike luksoze, duke përmendur edhe interesin e markave të mëdha ndërkombëtare të hotelerisë për të investuar në Shqipëri.

“Prandaj po investojmë për të krijuar një turizëm luksoz. Kemi çdo markë hoteliere për të investuar. Në projektin e madh që presim ta çojmë përpara, ka një sërë markash të mëdha që janë gati të vijnë. Mes tyre është edhe Atlantis, që do të jetë i pari që vjen të investojë në kontinentin tonë dhe do ta bëjë në Shqipëri”, u shpreh Rama.

Ai vlerësoi ndryshimin e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke e përshkruar vendin si një destinacion që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje.

“Nuk jemi më në perceptimin e njerëzve si gropa e zezë e Europës, jemi perlë e vogël e Europës që ndriçon”, tha Rama.

Rama tha se synimi është gjetja e një ekuilibri mes zhvillimit të turizmit dhe kapaciteteve që ka një vend i vogël si Shqipëria, duke e lidhur këtë me strategjinë për tërheqjen e turizmit luksoz.

“Synojmë një ekuilibër dhe të investojmë për të tërhequr turizëm luksoz. Ne jemi një vend i vogël dhe nuk e përballojmë dot luksin që të lutim kështjellës që i reziston botës. Duam të jemi një copëz e vogël që shkëlqen në të gjithë mozaikun e Europës”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme