Përkeqësimi i sigurisë në det, agjencitë e OKB: Gati 27,000 viktima në Mesdheun Qendror që nga viti 2014

Botë | 2 orë më parë

Mesdheu Qendror vazhdon të mbetet një nga rrugët më të rrezikshme në nivel global për emigrantët, duke regjistruar gati 27,000 vdekje nga mbytjet e anijeve që nga viti 2014, kur Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) nisi mbledhjen sistematike të të dhënave pas tragjedisë së Lampedusës.

Në një deklaratë të përbashkët me rastin e Ditës së Përkujtimit dhe Mirëseardhjes – e cila përkujton 368 viktimat e mbytjes së anijes së 3 tetorit 2013 – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), IOM dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) theksojnë se kjo rrugë përbën përafërsisht 75% të të gjitha vdekjeve të dokumentuara në Mesdhe gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit. Kjo shifër, sipas agjencive, i përngjan një ngjarjeje tragjike të përmasave të 3 tetorit 2013 që ndodh çdo dy muaj për trembëdhjetë vjet rresht.

Rritje alarmante e vdekshmërisë gjatë vitit 2026

Pavarësisht një rënieje të përgjithshme të numrit të mbërritjeve gjatë vitit 2026, shkalla e vdekshmërisë në det ka shënuar rritje të ndjeshme.

Nga fillimi i vitit e deri në fund të shtatorit, afërsisht 1,000 njerëz janë regjistruar si të vdekur ose të zhdukur përgjatë kësaj rruge, duke përfaqësuar një mesatare prej gati katër vdekjesh në ditë. Shkalla e rrezikut është përkeqësuar ndjeshëm, ku shkalla e vdekshmërisë është rritur nga një vdekje për çdo 60 të ardhur gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Vlerësimet aktuale tregojnë një raport prej një vdekjeje për çdo 23 të ardhur në vitin 2026.

Mbi 190,000 të mitur të mbërritur në Itali

Përveç ndryshimit të parametrave të rrezikut në det, raporti nënvizon edhe ndryshimin e profileve të atyre që ndërmarrin këtë kalim të rrezikshëm, ku gjithnjë e më shumë fëmijë dhe adoleshentë udhëtojnë të vetëm.

Statistikat e tre agjencive të OKB-së dëshmojnë se gjatë trembëdhjetë viteve të fundit, mbi 190,000 të mitur kanë arritur në Itali nëpërmjet rrugës së Mesdheut Qendror.

Më shumë se 75% e këtyre të miturve ishin të pashoqëruar gjatë udhëtimit të tyre.

Përballë kësaj situate kritike, UNHCR, IOM dhe UNICEF bëjnë thirrje urgjente për forcimin e multilateralizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me qëllim parandalimin e humbjeve të mëtejshme të jetëve njerëzore në det.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme