Muaji i Migjenit, ekspozita dhe aktivitete në bibliotekën e Shkodrës
Tetori, muaji i letërsisë, këtë vit shënon 115-vjetorin e lindjes së Migjenit. Në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” në Shkodër, një ekspozitë përkujtimore prezanton botime, dokumente dhe dëshmi që lidhen me jetën dhe krijimtarinë e tij, duke rikthyer në vëmendje trashëgiminë që Migjeni la pas.
“Është një lloj dokumentimi i origjinalitetit të shkrimit dhe të veprave të Migjenit. Të gjitha shkrimet e tij, skicat, poezitë, tregimet, si edhe mendimet e tij dhe esetë e tij, i gjejmë në këto periodikë të kohës”, u shpreh kuratorja e ekspozitës, Fatmira Lekiqi.
Në bibliotekë shprehen se interesi për veprën e tij vazhdon të jetë i pranishëm edhe te të rinjtë, të cilët kërkojnë botime dhe materiale që lidhen me autorin.
“Migjeni e ka fuqinë që të fitojë vëmendjen edhe interesin e brezave ndër vite, sepse temat e tij janë aktuale. Pavarësisht ndoshta ndryshimit të ngjyrave të aktualitetit, ai vazhdon të jetë konstant, vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite”, tha Blerta Sinani, bibliotekare.
Në kuadër të 115-vjetorit, Biblioteka “Marin Barleti” ka parashikuar edhe aktivitete të tjera. Migjeni do të jetë në fokus të klubit rinor “Bibliomania”, ndërsa do të zhvillohen homazhe pranë bustit të tij dhe një performancë letrare bazuar në krijimtarinë e shkrimtarit.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





