“2 orë për veten – 2 orë për ne”, projekti më i ri në Fier për nënat dhe fëmijët me aftësi ndryshe

Sociale | 1 orë më parë

“2 orë për veten – 2 orë për ne” është projekti më i ri që ka nisur në Qendrën Multifunksionale “Horizont” në Bashkinë Fier, në mbështetje të nënave dhe familjeve të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Ky projekt krijon një hapësirë të dedikuar për nënat e 97 fëmijëve të moshës 3 deri në 18 vjeç, me diagnoza të ndryshme, ku ato do të kenë mundësinë të informohen, të dëgjohen, të mbështeten dhe të fuqizohen.

Në shërbimin që do të ofrohet çdo ditë do të angazhohen profesionistë të ndryshëm, të cilët në bashkëpunim me institucionet do të mund t’u përgjigjen nevojave dhe shqetësimeve të familjeve.

Drejtori i Qendrës Multifunksionale “Horizont”, Enri Lulaj, u shpreh se: “Ky do të jetë një projekt i shtrirë në tetë muaj, nga muaji tetor deri në muajin maj, ku do të zhvillohen takime periodike me prindërit dhe fëmijët me aftësi ndryshe, në mënyrë që ata të ndërgjegjësohen, të informohen, të përshtaten dhe të mbështeten, si edhe të krijohen mundësi punësimi, në mënyrë që t’u qëndrojmë sa më pranë problematikave dhe nevojave të tyre.”

Koordinatorja e Integrimit për Personat me Aftësi të Kufizuara, Matilda Haska, theksoi se: “Fokusi ynë është që fëmijët t’i përgatisim për të qenë të pavarur dhe autonomë në të ardhmen. Për ta arritur këtë, na duhet një mbështetje e jashtëzakonshme dhe e vazhdueshme mes prindit, terapistit dhe vetë fëmijës. Një familje e shëndetshme dhe e angazhuar do të thotë një fëmijë që nesër do të ketë një zhvillim më të mirë dhe rezultate pozitive në jetë.”

Deri në maj 2027 janë programuar aktivitete dhe takime që lidhen me shëndetin fizik dhe mendor, të drejtat dhe mbrojtjen nga diskriminimi, shërbimet sociale dhe juridike, arsimin, punësimin, mirëqenien dhe gjithëpërfshirjen.

Ky projekt synon të krijojë një urë më të fortë mes familjes, fëmijës, profesionistëve dhe institucioneve, sepse çdo familje meriton të dëgjohet, të informohet dhe të ndihet e mbështetur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme