Rama publikon shifrat e para të “Flamingo Mirror”: Mbi 127 mijë kërkime. Janë zmbrapsur edhe 122 sulme kibernetike

Politikë | 1 orë më parë

Një ditë pas prezantimit të platformës “Flamingo Mirror”, kryeministri Edi Rama ka publikuar shifrat e para të aktivitetit të saj gjatë 24 orëve të para online.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se platforma ka regjistruar 3,397 kërkime për faqe dhe mbi 127 mijë kërkime në total, ndërsa janë bërë edhe 49 pyetje të reja.

Sipas kryeministrit, gjatë së njëjtës periudhë platforma është përballur edhe me 122 sulme kibernetike nga 32 adresa të huaja, të cilat, sipas tij, janë zmbrapsur pa shkaktuar dëme.

“Flamingo Mirror, një epokë e re transparence. Nga kalimi i saj LIVE, në 24 orët e para “Pasqyra e Flamingos/Flamingo Mirror” ka regjistruar:  3,397 kërkime për faqe, mbi 127 mijë kërkime totale në platformë, 49 pyetje të reja dhe gjithashtu  122 sulme kibernetike nga 32 adresa të huaja, të cilat janë zmbrapsur pa asnjë dëm. Ky është vetëm fillimi i një përballjeje transparente mes fakteve të qeverisjes dhe llumit anti-shtet të kanaleve social”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë prezantoi “Flamingo Mirror” të shtunën (3 tetor), një platformë e cila synon të ofrojë për qytetarët dokumente zyrtare, të dhëna, referenca ligjore dhe informacion të detajuar mbi çështje dhe projekte me interes publik. Dosja e parë e publikuar në platformë është ajo që lidhet me Sazan-Zvërnecin. Kryeministri bëri të ditur se platforma do të zgjerohet me dosje të tjera që kanë qenë objekt diskutimi publik.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme