Kombëtarja përgatitet për ndeshjen e 6 tetorit, ka ndryshime në listë

Kombëtarja shqiptare është rikthyer në fushë pas kthimit nga Finlanda me lojtarët kuqezi që kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore në Shtëpinë e Futbollit në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës ndaj San Marinos.
Skuadra u nda në dy grupe, teksa lojtarët që nuk u aktivizuan në Finlandë zhvilluan një seancë me ngarkesë të plotë. Ndërsa lojtarët që ishin titullarë në ndeshje bënë vetëm rikuperim dhe fizioterapi.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ka ndryshime në listën e Kombëtares. Mesfushori Feta Fetai dhe mbrojtësi Samuele Sina do të largohen për t’u bashkuar me Kombëtaren U-21 dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Alban Bushi për miqësoren me Ukrainën, që luhet nesër në ora 15:30 në Hungari.
Sakaq, edhe mesfushori Luis Hasa ka kaluar problemet shëndetësore dhe sot është bashkuar me grupin, duke qenë gjithashtu i gatshëm për ndeshjen e katërt të UEFA Nations League.
Gjithashtu, trajneri Rolando Maran ka thirrur portierin Simon Simoni për të zëvendësuar Etrit Berishën e skualifikuar. Simoni është bashkuar që sot në stërvitje me kuqezinjtë dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen me San Marinon, që luhet më datë 6 tetor, ora 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Biletat për ndeshjen Shqipëri-San Marino mund ti gjeni obline në ebileta.al ose në pikën e shitjes fizike në stadiumin “Air Albania”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





