Aksidenti tragjik me helikopterin italian në Bosnjë, identifikohen katër ushtarakët që humbën jetën

Janë identifikuar katër viktimat e aksidentit ajror që përfshiu një helikopter ushtarak italian në Bosnjë-Hercegovinë. Mes tyre janë dy ushtarakë të Ushtrisë Italiane dhe dy pjesëtarë të Trupës Ushtarake Vullnetare të Kryqit të Kuq Italian.
Viktimat janë rreshterët Simone Ruggia dhe Claudio Marchesi, si dhe togeri Franco Adriano Zecchillo dhe rreshterja Laura Procacci.
Ruggia dhe Marchesi shërbenin në Komandën e Aviacionit të Ushtrisë Italiane (AVES), në Viterbo, dhe ishin pjesë e Regjimentit të Parë “Antares”, një strukturë që merret me trajnimin e pilotëve dhe teknikëve, si dhe me zhvillimin e teknikave të përdorimit të mjeteve ajrore.
Simone Ruggia ishte me origjinë nga Salerno, ndërsa prej rreth tetë vitesh ishte caktuar në Viterbo. Ndërsa Claudio Marchesi, 35 vjeç, ishte nga Orvieto, ku jeton edhe familja e tij. Ai ishte i apasionuar pas skive dhe futbollit, sport të cilin e kishte praktikuar që në rini. Në rrjetet sociale kishte publikuar një fotografi në dëborë, të shoqëruar me moton: “Që kur kam filluar të eci, më pëlqen të vrapoj”.
Dy viktimat e tjera ishin pjesë e Trupës Ushtarake Vullnetare të Kryqit të Kuq Italian. Bëhet fjalë për togerin Franco Adriano Zecchillo, 65 vjeç, dhe rreshteren Laura Procacci, 32 vjeçe, e cila shërbente si infermiere dhe shpëtimtare.
Procacci, me origjinë nga Andria, ishte viktima më e re. Ajo sapo kishte përfunduar studimet për Mjekësi dhe Kirurgji në Romë dhe kishte zgjedhur t’i bashkohej vullnetarisht Kryqit të Kuq dhe strukturave ushtarake. Më 28 mars të këtij viti kishte bërë betimin e besnikërisë, duke u bërë gruaja e parë nënoficere që kryente këtë procedurë në Trupën Ushtarake të Kryqit të Kuq.
Ndërsa Zecchillo ishte një ushtarak me përvojë, i cili prej vitesh shërbente si vullnetar në Kryqin e Kuq Italian. Nga aksidenti ka mbetur i plagosur edhe një tjetër pjesëtar i organizatës, pjesë e ekipit të evakuimit mjekësor.
Sipas informacioneve të publikuara, helikopteri ishte nisur në mëngjesin e 28 tetorit nga Viterbo dhe, pas një ndalese në aeroportin ushtarak të Pratica di Mare, kishte vijuar fluturimin drejt Bosnjë-Hercegovinës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




