Gjirokastër, ekspozitë me armë relike/Muzeu i Forcave të Armatosura sjell historinë më pranë publikut

Kulturë | 2 orë më parë

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës është kthyer në një hapësirë ku historia dhe trashëgimia ushtarake vijnë më pranë publikut.

Muzeu i Forcave të Armatosura ka çelur një ekspozitë dyditore me armë relike, duke u dhënë qytetarëve dhe vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me objekte që mbartin gjurmë të rëndësishme të së kaluarës.

Drejtori i Muzeut të Forcave të Armatosura, Niko Kotherja, vlerëson se aktivitete të tilla kanë rëndësi të veçantë për njohjen dhe promovimin e historisë ushtarake shqiptare.

“Për sa i përket kësaj nisme, kemi shumë qytete në Shqipëri ku ka filluar të udhëtojë kjo ekspozitë e lëvizshme. Stacioni i radhës ishte qyteti i Gjirokastrës. Qëllimi i ekspozitës së këtyre objekteve muzeale është të tregojë rrugëtimin e uniformës ushtarake shqiptare, por edhe momente nga periudha kur shteti shqiptar ende nuk kishte lindur dhe shqiptarët nuk kishin një ushtri të organizuar nga shteti, por ishin të bashkuar në organizime dhe formacione luftarake, të cilat i sollën Shqipërisë pavarësinë”, u shpreh Niko Kotherja, Drejtor i Muzeut të Forcave të Armatosura.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar lloje të veçanta armësh, të përdorura në periudha dhe ngjarje të rëndësishme historike.

“Këtu kemi mitralozin gjerman MG42, i cili ka qenë një nga armët më efektive të Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, kemi pushkën gjermane K98, e cila po ashtu ka qenë një nga pushkët më efektive. Në Muzeun e Forcave të Armatosura, por edhe këtu, kemi sjellë objekte të prodhuara në Bashkimin Sovjetik. Dihet se Shqipëria, për disa vite, ka pasur marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik dhe fillimisht është furnizuar me armatime nga shteti sovjetik”, tha Edmond Collaku, Përgjegjës i koleksionit të armëve.

Aktiviteti vjen në një periudhë kur Gjirokastra, krahas vlerave të saj të njohura arkitekturore dhe historike, po mirëpret edhe veprimtari të ndryshme kulturore që gjallërojnë jetën e qytetit dhe tërheqin vizitorë vendas e të huaj

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme