Live/ Dita e 4-të e protestës në Tiranë, tensione te Ministria e Arsimit, protestuesit hedhin gurë dhe lëndë piroteknike

Aktualitet | 1 orë më parë

Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë është shoqëruar me tensione gjatë marshimit në disa zona të kryeqytetit. Protestuesit kanë djegur kosha plehrash dhe kanë shkulur kangjellat që ndajnë rrugën nga trotuari, ndërsa pas lëvizjes në akse të ndryshme të qytetit janë rikthyer sërish pranë Ministrisë së Arsimit, ku kanë sulmuar me gurë godinën e institucionit.Protesuesit kanë hedhur po ashtu edhe lëndë piroteknike në drejtim të forcave të policisë.

Deri në këto momente nuk ka pasur konfrontime fizike, ndonëse më herët raportohet për disa shoqërime të protestuesve nga policia.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në grupe të vogla në sheshin “Skënderbej” dhe më pas iu drejtuan Ministrisë së Arsimit, duke ardhur nga drejtime të ndryshme të kryeqytetit. Gjatë protestës, ata bllokuan edhe rrugën “Myslym Shyri”, ku u ulën në asfalt, duke penguar qarkullimin e automjeteve. Më pas, marshimi vijoi në disa zona të Tiranës, përfshirë drejtimin e zonës së “21 Dhjetorit”. Gjatë lëvizjes u regjistruan edhe incidente, ku protestuesit dogjën kosha plehrash dhe shkulën kangjella metalike që ndajnë rrugën nga trotuari.

Tubimi ishte paralajmëruar të niste në orën 11:00. Krahas studentëve dhe gjimnazistëve, protestës i janë bashkuar edhe qytetarë të grupmoshave të ndryshme, si dhe prindër të nxënësve. Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve është shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, ku të rinjtë kanë dalë në rrugë për të shprehur kërkesat e tyre.

Në Lezhë, protesta është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Sipas raportimeve paraprake, një person dyshohet se ka mbetur i lënduar. Kjo është dita e katërt e protestës së gjimnazistëve dhe studentëve, të cilët vijojnë mobilizimin në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme