Live/ Tensione para Kryeministrisë, i vihet flaka një makine, policia ndërhyn me gaz lotsjellës. Protestuesit hedhin gurë dhe molotovë ndaj efektivëve

Aktualitet | 44 minuta më parë

Protesta në Tiranë vijon mes tensioneve të forta para Kryeministrisë, ku tymi, flakët dhe gazi lotsjellës kanë mbuluar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Protestuesit vijojnë të qëndrojnë në zonë, ndërsa efektivët e policisë janë tërhequr më tej, duke krijuar një kordon sigurie.

Në bulevard, protestuesit i kanë vënë flakën një automjeti, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse për të shuar zjarrin. Situata është përshkallëzuar edhe më tej, pasi protestuesit kanë hedhur gurë, molotovë dhe mjete piroteknike në drejtim të efektivëve.

 

 

Nga ana tjetër, policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë në përpjekje për të larguar turmën dhe për të rikthyer kontrollin në zonë. Megjithatë, protestuesit janë kundërpërgjigjur me gurë dhe mjete piroteknike, ndërsa përplasjet mes tyre dhe forcave të rendit vijojnë herë pas here.

Kjo është dita e pestë e protestave në Tiranë, të cilat nisën para Ministrisë së Arsimit, ku studentë, gjimnazistë dhe qytetarë u mblodhën për të protestuar.

  • Pas disa orësh tubimi, situata u përshkallëzua, kur disa protestues u vunë flakën koshave të mbeturinave, shkulën kangjellat e trotuarit pranë godinës së ministrisë dhe i vendosën në mes të rrugës.

    Në drejtim të policisë u hodhën gurë dhe sende të forta, ndërsa forcat e rendit ndërhynë me makina ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës për të larguar koshat nga rruga dhe për të shpërndarë turmën.

     

    Çfarë ndodhi gjatë katër orëve të protestës para Ministrisë së Arsimit?

    Protesta studentore, e cila ka hyrë sot në ditën e pestë, nisi në orën 11:00 para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku nxënës, studentë dhe qytetarë u mblodhën për të protestuar. Tubimi ishte paralajmëruar si një protestë gjithëpërfshirëse kombëtare, me pjesëmarrjen e gjimnazistëve, studentëve dhe qytetarëve.

    Për orë të tëra, protesta vijoi para godinës së ministrisë, ndërsa situata nisi të tensionohej pas mesditës. Fillimisht, disa prej protestuesve shkulën kangjellat e trotuarit pranë institucionit dhe i vendosën në mes të rrugës, duke penguar qarkullimin. Më pas, disa kosha mbeturinash u përfshinë nga flakët, duke bërë që situata të përshkallëzohej.

    Në këto momente, Policia ndërhyri me makinat ujëhedhëse për të larguar koshat e mbeturinave nga rruga dhe për të shpërndarë protestuesit. Por ndërhyrja u shoqërua me përplasje, pasi një pjesë e protestuesve nisën të hedhin gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit.

    Tensionet u shtuan edhe më tej kur, sipas raportimeve nga terreni, në drejtim të efektivëve u hodhën bomba molotov. Përballë kësaj situate, policia vijoi ndërhyrjen me ujë, duke u përpjekur të largonte turmën nga zona pranë Ministrisë së Arsimit dhe të rikthente kontrollin në rrugë.

    Gjatë këtyre orëve, situata mbeti e tensionuar, ndërsa forcat e rendit ndërhynë për të mbrojtur institucionin dhe për të menaxhuar përshkallëzimin e protestës.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme