Milani gjen pasuesin e Modric në Angli, Scott i Bournemouth kushton 50 milionë euro

Fiksohet çmimi për mesfushorin e kombëtares angleze. Si gjithmonë, italianët duhet të fitojnë konkurrencën e fortë me klubet e Premier League.
“Ndihem mirë. Kam ende pasion, forcë dhe ambicie. Dua të vazhdoj të luaj derisa të ndihem kështu. Mund të jenë dy muaj, tre muaj, një vit apo dy vite, nuk e di”. Kështu tha Luka Modric, kroati i përjetshëm, por jo dhe aq i përjetshëm.
Milani po punon për një të ardhme jo shumë të largët pa mesfushorin kroat dhe ka fiksuar si objektiv Alex Scott. Bëhet fjalë për një lojtar të vitlindjes 2003 që luan për Bournemouth dhe që shpërtheu sezonin e kaluar, duke bindur edhe trajnerin e Anglisë, Thomas Tuchel, ta grumbullojë për Ligën e Kombeve.
Gjatë grumbullimit me kombëtaren Scott pësoi një dëmtim në fitoren e thellë me Kroacinë. Atij i duhet të qëndrojë jashtë fushave rreth dy muuaj, por për Milanin kjo nuk është një pengesë.
Për shkak të këtij dëmtimi anglezi do të humbasë edhe sfidën e Europa League pikërisht kundër Milanit më 22 tetor, në “Vitality Stadium”. Mund të luajë si mesfushor krahu dhe si trekuartist, vrapon shumë dhe është teknik. Paraqitja e tij ka bërë për vete Milanin, që e sheh si një investim të rëndësishëm për të ardhmen.
Por në këtë rast, si gjithmonë, është konkurrenca nga Premier League, me Arsenal dhe Chelsea që e kanë në shënjestër prej kohësh. Në radhë janë edhe disa klube të tjera europiane. Bournemouth, me të cilin lojtari ka kontratë deri në qershor të 2028-ës, kërkon të paktën 50 milionë euro.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




