“Paralizohet Beogradi”, studentët bllokojnë rrugët kryesore duke kërkuar hapjen e listës së votimeve

Serbi | 3 vite më parë

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi njoftoi këtë të premte se hodhi poshtë kërkesën e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”  për anulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor. 

Nënkryetari i RKZ-së, Marko Jankoviç, tha se “Serbia kundër dhunës” ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Lartë në Beograd, e cila ka vendosur ta refuzojë atë si të pabazuar, meqë Komisioni i Zgjedhjeve i Qytetit nuk është realisht kompetent për këtë çështje. 

Këtë të premte studentët nisën një bllokadë 24-orëshe duke bllokuar kryqzimet e rrugëve në qendër të Beogradit, dhe kërkuan nga autoritetet atje që të lejojnë hapjen e listës së votuesve.  Bllokimi do të vijojë deri të shtunën në mesditë, kur ata planifikojnë t’i bashkohen protestës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “ProGlas”, nismë e filluar para zgjedhjeve, e nënshkruar nga më shumë se 190 mijë qytetarë. 

Lista më e madhe opozitare “Serbia kundër dhunës” akuzon Partinë Progresive Serbe (SNS), që është partia në pushtet, për vjedhje pas zgjedhjeve. Dyshime për parregullsinë e zgjedhjeve ka shprehur edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiç, fushatë negative dhe përhapje të frikës. Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve.

( Gazetar Artur Mata )

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme