Terminalet POS/ Transporti publik urban përjashtohet nga pagesat me kartë bankare, biletat do të vijojnë të shiten fizikisht në dorë

Aktualitet | 4 muaj më parë

Operatorët e transportit publik urban brenda qyteteve në Shqipëri nuk do të jenë të detyruar të instalojnë pajisje POS/POI për pagesat me kartë bankare nëpër autobusë. Vendimi është zbardhur përmes një shkrese zyrtare që Ministria e Financave u ka drejtuar përfaqësuesve të sektorit, duke zgjidhur kështu një ngërç që rrezikonte të rëndonte financiarisht mbi pasagjerët.

Ky sqarim ligjor vjen pas kërkesës së Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, e cila kishte ngritur shqetësime mbi vështirësitë teknike dhe kostot e larta operative që do të sillte ky detyrim, kosto të cilat do të transferoheshin drejtpërdrejt te qytetarët duke rritur çmimin e biletës me rreth 30 lekë për person për çdo pagesë me kartë.

Argumentimi ligjor bazuar mbi fiskalizimin

Ministria e Financave ka sqaruar se ky përjashtim e ka bazën te neni i legjislacionit tatimor dhe rregullat e procesit të fiskalizimit. Sipas interpretimit zyrtar, shitja e biletave apo e aboneve të transportit urban që bëhet nga shoferi ose faturinoja e autorizuar brenda në mjet, nuk i nënshtrohet detyrimit për lëshimin e faturës elektronike.

Rrjedhimisht, mosdetyrimi për të lëshuar faturë elektronike sjell automatikisht edhe rrëzimin e detyrimit për të pasur një terminal pagesash elektronike në çdo autobus.

“Nga leximi i kombinuar i këtyre dispozitave ligjore rezulton se operatorët e transportit publik urban brenda qytetit, duke qenë të përjashtuar nga detyrimi për të lëshuar dhe fiskalizuar fatura për furnizimet që kryejnë, rrjedhimisht janë të përjashtuar edhe nga detyrimi ligjor për t’u pajisur me terminal POS/POI në çdo pikë shitjeje”, thuhet specifikisht në shkresën e Ministrisë së Financave.

Sipas përfaqësuesve të transportit, instalimi i detyrueshëm i POS-eve në çdo mjet lundrues apo lëvizës urban do të krijonte kaos në menaxhimin e fluksit të pasagjerëve nëpër stacione, përveç tarifave bankare shtesë që do të aplikoheshin mbi biletat ekzistuese të miratuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Me këtë vendim, skema e pagesave në urbanë do të vijojë të mbetet ajo tradicionale përmes biletave fizike të dorës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme