“The Guardian” artikull për Serbinë: Kapja e shtetit, një problem për Ballkanin dhe BE-në

Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” ka publikuar një editorial për zhvillimet në Serbi. Duke veçuar zgjedhjet e fundit, ajo shkruan se sipas presidentit serb Aleksandar Vuçiç, procesi ishte më i pastri dhe më e ndershmi në historinë e tij, ndërsa misioni ndërkombëtar i vëzhguesve gjeti parregullsi serioze, përfshirë blerjen e votave.
Duke iu referuar Partisë Progresiste Serbe, që fitoi zgjedhjet e 17 dhjetorit, “The Gardian” shkruan se kjo parti është emërtuar gabimisht e tillë. Sipas prestigjioze britanike, shkelja e normave demokratike dhe e shtetit të së drejtës në Serbi është përshpejtuar gradualisht, që kur kjo parti mori pushtetin mbi një dekadë më parë, periudhë të cilën e quan një proces të kapjes së shtetit të mbikëqyrur nga presidenti Vuçiç që nga viti 2017.
“Një nacionalist autokratik, instinktet politike të të cilit u farkëtuan në epokën e Millosheviçit, Vuçiç përdor fuqinë dhe ndikimin e tij për të nxitur mosmarrëveshje në Ballkanin Perëndimor”.
“The Gardian” kritikon Perëndimin se ka rrumbullakosur problemet e Serbisë me qëllim që ta mbajë larg ndikimit rus.
“Në nëntor, presidenti serb parashikoi në mënyrë ogurzezë se viti 2024 do të sjellë më shumë konflikte dhe trazira si në Kosovë ashtu edhe Republikën Sërpska në Bosnje-Hercegovinë”.
Madje sipas tabloidit britanik në variantin online, në Kosovë mbetet ende shqetësim situata në veri, edhe për faktin se Serbia vazhdon të refuzojë njohjen e Kosovës. Prestigjiozja britanike, duke mbyllur editorialin, shkruan se ndërsa Serbia forcon akoma më tej pozitën në oborrin e shtëpisë lindore të BE-së, trajtimi i Vuçiçit si një “djalë planprishës, i cili do të përmirësojë rrugët e tij, duket se nuk po funksionon.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





