30 vite nga dalja e parë në këtë skenë, Bleona Qereti hap natën finale të Festivalit të Këngës në RTSH
Nata finale e Festivalit të Këngës në RTSH u hap me një performancë energjike dhe elektrizuese nga Bleona Qereti, e cila solli në skenë këngën “Lërmëni”. Interpretimi i saj i dha një nisje dinamike mbrëmjes më të rëndësishme të festivalit, duke marrë ovacionet dhe duartrokitjet e publikut.
Bleona Qereti, e cila këtë vit është edhe pjesë e jurisë së Festivalit të 64 të Këngës, u rikthye në skenën e festivalit pas një mungese të gjatë. Rikthimi i saj shënoi një moment simbolik, pasi përkon me 30-vjetorin e daljes së saj të parë në këtë skenë.
Me një prezencë skenike dominuese dhe stil të veçantë, Bleona Qereti dëshmoi edhe një herë se është një diva e skenës shqiptare.
Gjatë intervistës së saj në prapaskenën e Fest 64, moderatorët Andri Xhahu dhe Antoneta Koçi, Bleona Qereti u shpreh e emocionuar për pritjen e publikut ndaj këngës së saj.
“Jam shumë e emocionuar, publiku e priti këngën shumë mirë. Është një këngë që unë e kam hequr vetë nga interneti, sepse doja të ruaja elementin e surprizës për ta sjellë edhe një herë pas 30 vitesh, në formën e vet më të mirë, me standardet që unë kam sot si artiste,” u shpreh ajo.
Duke folur për rikthimin në skenën e Pallatit të Kongreseve, Bleona e përshkroi këtë moment si tepër emocional.
“Të këndoj përsëri në Pallatin e Kongreseve pas 30 vjetësh është e frikshme. Mund të them se kisha të njëjtat emocione si para 30 vitesh, sikur koha të kishte ndalur. Sepse në momentin që dal në skenë, është pothuajse një tjetër Bleonë,” tha këngëtarja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




