Bovilla, në fokus të mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore, monitorim dhe mirëmbajtje e strukturave

Sociale | 1 orë më parë

Rezervuari i Bovillës tashmë do jetë në fokus të një projekti japonez që synon mbrojtjen e burimeve ujore, frenimin e erozionit dhe reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.

Sipas ekspertit mjedisor, Sajmir Hoxhës, ndërhyrjet janë realizuar me Agjencinë Japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar, me fokus në zonën e Zall-Bastarit.

“Kemi ngritur rreth 10 pika monitorimi, ku janë instaluar materialet, fuçitë të cilat grumbullojnë ujërat bashkë me sedimentet dhe, sipas një metodologjie që e aplikojnë ekspertët japonezë, do të bëhet monitorimi. Monitorimi do të zgjasë tre vjet, që në fund të kësaj periudhe të shikohet rezultati i punës. Aty do të përcaktohet shkalla dhe sasia e sedimenteve ose e erozionit për një sipërfaqe të caktuar. Më pas do të bëhen llogaritjet dhe krahasimet”, tha eksperti Hoxha.

Në dy zona pilot janë ndërtuar prita me materiale drusore, ndërsa janë kryer edhe mbjellje për rikthimin e vegjetacionit dhe stabilizimin e tokës. Masat synojnë të ngadalësojnë rrjedhjen e ujërave gjatë reshjeve dhe të kufizojnë gërryerjen e tokës dhe transportin e sedimenteve drejt rezervuarit.

“Zona e Bovillës është një mundësi për të demonstruar një qasje të re në menaxhimin e territorit dhe burimeve natyrore. Rezervuari i Bovillës është një burim ujor me rëndësi strategjike për Tiranën dhe zonat përreth, ndërsa pellgu ujëmbledhës përballet me degradimin e tokës, erozionin dhe transportin e sedimenteve”, tha eksperti i huaj.

Punimet në terren kanë përfunduar dhe projekti ka kaluar në fazën e monitorimit dhe mirëmbajtjes së strukturave të ndërtuara. Rezervuari i Bovillës, një nga burimet kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm të Tiranës, monitorohet gjithashtu në kuadër të programeve kombëtare të monitorimit të mjedisit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme