Përfundojnë kërkimet, 14 të vrarë nga shembja e çatisë së hekurudhës në Serbi

Autoritetet serbe përfunduan të premten mbrëma operacionet e kërkimit dhe shpallën 14 të vrarë në stacionin hekurudhor të Novi-Sadit, ku një ditë më parë u shemb aksidentalisht çatia e godinës.
Tre persona arritën të shpëtohen dhe të dërgohen në spital me dëmtime të rënda, tha ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq (Dacic).
Presidenti Aleksandar Vuçiq (Vucic) deklaroi se mes viktimave kishte edhe një fëmijë 6 vjeç, si dhe një shtetas nga Maqedonia e Veriut. Pesë viktima nuk janë identifikuar ende.
“Si president i Serbisë kam kërkuar që personat përgjegjës të ndëshkohen,” u shpreh z. Vuçiq.
Shembja e çatisë me një gjatësi rreth 35 metra ndodhi në mesditë. Kërkimet për trupat nën rrënoja vijuan gjithë ditën deri në mbrëmje. Në operacion u angazhuan 80 efektivë të kërkim-shpëtimit.
Në Novi-Sad do të ketë tri ditë zie në ditët në vijim, ndërsa e shtuna është ditë zie në të gjithë Serbinë. /AJB
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





