Territorialja/ Balla: Për ne rëndësi kanë shërbimet, jo kush drejton bashkinë

Politikë | 50 minuta më parë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj kundërshtimeve të opozitës për reformën administrativo-territoriale, duke deklaruar se mazhoranca e sheh procesin nga këndvështrimi i përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.

Gjatë diskutimeve në Kuvend, Balla tha se ndryshimi mes qëndrimeve të mazhorancës dhe opozitës lidhet edhe me mënyrën se si e shohin organizimin e pushtetit vendor.

“Herën e fundit që e kam dëgjuar shprehjen që nuk qëndrojmë më në këtë sallë me ju ka qenë diku në fillim të 2019. Historia që pasoi dihet: PD iku nga Kuvendi, zgjedhjet dhe pastaj fundi dihet. Uroj shumë, miqësisht, që mos ta merrni këtë vendim. Megjithatë, zgjedhjet janë tuajat. Në 2014 morët të njëjtin vendim për të bojkotuar reformën administrativo-territoriale. Së bashku me LSI asokohe, i dhamë Shqipërisë hapin e parë të një reforme administrativo-territoriale. Rezultatet janë tejet pozitive sepse të ardhurat për çdo banor u 4-fishuan, ndërsa borxhet dhe detyrimet u ulën me ¾. Në thelbin dhe dëshirën tonë është që çdo qytetari të Republikës, t’i ofrojmë shërbimet e duhura. Ky është dallimi i madh mes nesh dhe mes jush. Nëse ju e keni merakun se kush do të jetë kryetari i bashkisë, për ne është si do t’i shërbehet bashkisë. Për ne bashkimi sjell shërbime më të mira për të gjitha komunitetet që ato jetojnë. Kemi ruajtur një standard për bashkitë minoritare që edhe pse nuk i plotësojnë kriteret, do të vazhdojnë të jenë”, tha Balla.

Ai iu referua edhe protestës së paralajmëruar nga opozita për të enjten, duke deklaruar se rikthimi i saj në protesta është një zhvillim pozitiv. Balla ftoi gjithashtu opozitën të konsultojë dokumentet zyrtare lidhur me çështjet që po diskutohen.

“Mendoja se do të flisnim për reformën, të enjten keni thirrur protestë kombëtare. Shyqyr që u kthye PD te protestat, është lajm i mirë. Është lajm pozitiv sepse protesta arriti një sukses të madh: çliroi bulevardin nga një ritual i përditshëm të hënave pasdite. Sa i përket ditës së sotme, ju ftoj të bëheni pjesë e Pasqyrës së Flamingos. Keni mundësinë e artë që edhe sot, edhe ju të hyni në këtë platformë dhe të aksesoni dokumentet e vërteta zyrtare e jo ato që shpikni”, tha Balla.

Sa i përket reformës zgjedhore, kreu i grupit socialist kërkoi bashkëpunimin e opozitës, duke theksuar se mazhoranca nuk dëshiron që procesi të zhvillohet pa pjesëmarrjen e saj, por njëkohësisht nuk do të pranojë bllokimin e tij.

“Besoj që jeni të gjithë të vetëdijshëm për momentin historik që gjendet vendi. Ursula von der Leyen ishte shumë e qartë: Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten dy vendet pararojë në procesin e anëtarësimit. Shpresoj të luani rolin që duhet të ketë opozita në këtë proces. Reforma tjetër që pret bashkëveprimin me ju është reforma zgjedhore. Kemi një afat në kuadër të detyrimeve që Shqipëria ka. Afati i komisionit mbaron në fund të nëntorit, nuk do të ketë shtyrje. S’duam të kemi reformë zgjedhore pa ju, por harrojeni që mund të bllokoni përmbushjen e detyrimeve”, tha Balla.

Në fund, Balla shprehu mbështetje për nismën e Kuvendit të Kosovës lidhur me Dhomat e Specializuara, pas vendimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Ai kërkoi që debatet politike lidhur me këtë çështje të mos shoqërohen me deklarata apo kërkesa që i cilësoi si populiste.

“Koha për të bërë deklarata populiste apo kërkesa për interpelanca populiste, ju ftoj t’i tërhiqni. Sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për mbështetje nga Shqipëria e zë të përbashkët”, tha Balla.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme