Dy të vdekur dhe 11 të plagosur, anije turke me drithëra fundoset në Detin e Zi pas një sulmi me dron

Botë | 1 orë më parë

Një incident i rëndë është shënuar në Detin e Zi, ku një anije mallrash në pronësi turke u godit nga të paktën një dron dhe më pas u fundos pasi u përfshi nga flakët.

Si pasojë e sulmit humbën jetën kapiteni i anijes dhe një tjetër anëtar i ekuipazhit, ndërsa tre persona mbetën të plagosur. Një marinar rezulton ende i zhdukur.

Sipas autoriteteve rumune, 11 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan nga operacionet e kërkim-shpëtimit të zhvilluara me anije dhe helikopterë rumunë. Incidenti ndodhi rreth 20 milje larg brigjeve të Rumanisë, ku vijojnë ende kërkimet për personin e zhdukur.

Anija e përfshirë në incident është identifikuar si “Royald Mammadov”, në pronësi të kompanisë turke MG Shipping 5 dhe lundronte nën flamurin e Saint Kitts dhe Nevis. Ajo transportonte ngarkesë bujqësore dhe ishte nisur nga porti ukrainas i Ismailit me destinacion Ravenën, në Itali.

Të dhënat e monitorimit të trafikut detar tregojnë se anija u regjistrua për herë të fundit rreth tre orë para sulmit, gjatë lundrimit në Detin e Zi.

Autoritetet rumune nuk kanë identifikuar ende përgjegjësit e sulmit. Megjithatë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, fajësoi Rusinë për ngjarjen, duke e cilësuar atë si një “sulm të tmerrshëm me dy dronë rusë ndaj një anijeje civile në ujëra neutrale”.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Zelenskyy tha se në bordin e anijes ndodheshin shtetas të Azerbajxhanit dhe Indisë.

“Ukraina ka propozuar vazhdimisht hapa konkretë për uljen e tensioneve dhe garantimin e sigurisë në Detin e Zi. Ka pasur gjithashtu propozime edhe nga vende të tjera”, deklaroi ai.

Presidenti ukrainas shtoi se “Rusia vazhdon të zgjedhë terrorin dhe fundosjen e anijeve civile në vend të lundrimit normal detar”, duke bërë thirrje për më shumë presion ndërkombëtar për të mbrojtur sigurinë globale ushqimore.

Ngjarja vjen në një kohë kur Rumania ka raportuar një numër në rritje incidentesh që lidhen me dronët pranë porteve të saj në Detin e Zi. Gjatë muajve të fundit, hapësira ajrore rumune është shkelur disa herë nga mjete ajrore pa pilot të lidhura me luftën në Ukrainë.

Në gusht, një avion luftarak rrëzoi një dron detar të mbushur me eksploziv pranë projektit më të madh të gazit në det të hapur në Evropë, në Detin e Zi. Vetëm disa orë më parë, një tjetër dron kishte hyrë në hapësirën ajrore të Rumanisë dhe ishte rrëzuar pranë kufirit me Ukrainën.

Presidenti rumun Nicușor Dan fajësoi Rusinë për atë incident dhe dënoi atë që e quajti përshkallëzim të “incidenteve të papërgjegjshme” nga Moska.

Sulmi i së hënës ndodhi brenda zonës ekskluzive ekonomike të Rumanisë, rreth 9 milje detare larg platformës detare Pescăruș, duke rritur shqetësimet për sigurinë e lundrimit dhe stabilitetin në rajonin e Detit të Zi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme