Kuvendi i Serbisë konstituohet mes fishkëllimave e pankartave, opozita betohet në korridor

Serbi | 3 vite më parë

Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë, ku u konfirmuan mandatet e deputetëve të përbërjes së re, kaloi me fishkëllima nga opozita, njofton REL.

Deputetët e opozitës ishin para foltores me pankarta ku shkruhej “I keni vjedhur zgjedhjet” dhe “Hajdutë kthejini mandatet”.

Lista e opozitës Serbia kundër dhunës pretendon se zgjedhjet e dhjetorit ishin të parregullta, gjë që pushteti e refuzon.

Për shkak të akuzave për vjedhje zgjedhore, deputetët e koalicionit Serbia kundër dhunës e kanë bërë betimin në korridorin e Kuvendit dhe jo në sallë.

Në vazhdim të seancës së parë, e cila nuk duhet të jetë në të njëjtën ditë, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, të emërojnë sekretarin e përgjithshëm, të zgjedhin anëtarët e trupave punues, si dhe anëtarët e përhershëm të delegacioneve parlamentare në institucionet ndërkombëtare.

Raportet e organizatave monitoruese vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), tregonin se kishte parregullsi zgjedhore në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi. SNS-ja në pushtet dhe udhëheqja shtetërore i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Më 18 dhjetor, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) njoftoi se zgjedhjet u përcollën me parregullsi, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti i shtetit Aleksandar Vuçiq, fushata negative dhe përhapje frike.

Sipas REL

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme