Durrës, në hartën e artit bashkëkohor/Bienalja e dytë sjell 45 artistë, ndërthuret historia me realitetin urban
Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor në Durrës rikthehet me edicionin e saj të dytë. Në qendër të këtij edicioni është tema “Periferia: Tranzicione pamore”, përmes së cilës vështrimi zhvendoset drejt hapësirave, historive dhe realiteteve që shpesh mbeten jashtë qendrës së vëmendjes. 34 pavijone kombëtare dhe 45 artistë nga vende të ndryshme të botës kane sjellë në Durrës perspektiva të ndryshme mbi periferinë, kujtesën, identitetin dhe jetën urbane:
“Të gjithë artistët e 34 shteteve pjesëmarrëse kanë interpretuar pikërisht periferitë e tyre duke i bërë ato ura këmbimi kulturor, social, politik midis Shqipërisë dhe vendeve të tyre”, u shpreh Oltsen Gripshi, Drejtor artistik i bienales.
“Kjo Bienale ka pjesëmarrje shumë të gjerë. Ka artistë nga 34 vende, shumë nga Afrika dhe Azia gjithashtu edhe nga Zelanda e Re duke i dhënë një dimension ndërkombëtar që e dërgon Durrësin në botë. Moto Periferia simbolizon zhvillimin e atyre vendeve të cilat dikur ishin “periferi”, ndërsa sot janë vende shumë të njohura, ashtu sikurse ka vende që dikur ishin shumë të rëndësishme ndërsa sot mund të konsiderohen “periferi”. Pra është një dëshmi që bota është në ndryshim të vazhdueshëm njëlloj si ndodh edhe me Artin. Pra Bienalja është e ndryshme çdo 2 vjet, me artistë të rinj dhe art bashkëkohor, si pasqyrë e ndryshimit dhe zhvillimit”. Tha Massimo Scarinella, Kurator i Bineales .
Për të dytin vit Bienalja financohet nga bashkia Durrës.
“Kjo për ne është një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e qytetit, por edhe për vlerat që sjellin këta artistë. Ajo që unë vlerësoj si diçka të veçantë është që të gjitha veprat e artit do të shtrihen në të gjithë qytetin”, tha Emiriana Sako, Kryetare e bashkisë Durrës.
Këtë vit shtegut të Bienales i janë bashkuar më shumë institucione si: Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia”, Muzeu Kombëtar Arkeologjik, Muzeu Etnografik dhe Shtëpia Muze “Aleksandër Moisiu”. Kjo ndërthurje e artit bashkëkohor me trashëgiminë historike, arkeologjike, etnografike dhe kulturore të qytetit krijon një dialog të veçantë mes së shkuarës dhe së tashmes, duke e shndërruar vetë qytetin në një pjesë aktive të përvojës së Bienales.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





