Kritikoi ministrin e Mbrojtjes, arrestohet kreu i Sindikatës Ushtarake Serbe

Presidenti i Unionit Ushtarak serb, Novica Antiç, një kritik i politikave të Ministrisë së Mbrojtjes është vendosur në pranga ditën e sotme ndërsa më pas ka nisur grevën e urisë.
Arrestimi erdhi dy javë pasi ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç e përshkroi idenë e sindikatave për personelin ushtarak si “marrëzi”.
Deri më tani nuk ka pasur qëndrim zyrtar për këtë çështje dhe avokatët e Antiçit nuk kanë dashur të specifikojnë veprën penale për të cilën ai është akuzuar.
“Është një procedurë parahetimore. Procedura do të vazhdojë me një seancë dëgjimore në Prokurorinë e Lartë Publike në Novi Sad sepse ajo ka juridiksion territorial”, është shprehur avokati i Antiç.
Sinisha Luniç, një tjetër nga avokatët e Antiçit, tha se mëngjesin e sotëm, u kryen kontrolle në disa lokacione në mbarë vendin dhe se disa telefona që i përkisnin anëtarëve të Unionit Ushtarak u konfiskuan.
Të dy avokatët dhe vëllai i Antiçit, Vaso Antiç, i thanë N1 se arrestimi ishte një shembull i persekutimit politik, pasi ministri i Mbrojtjes Vuçeviç tha më 15 shkurt për heqjen e mundshme të sindikatës.
“Marrëzia më e madhe në botë është se ushtria ka sindikata – ushtria mbron vendin, ajo nuk është një kompani publike”, tha Vuçeviç në një intervistë për Euroneës Serbia.
Organizata Evropiane e Shoqatave Ushtarake dhe Sindikatave, EUROMIL, i tha BIRN se nuk mund të komentojë mbi ndalimin e Antiçit pa informacion të plotë për rastin.
Por EUROMIL vuri në dukje se aktiviteti sindikal në forcat e armatosura është një e drejtë kushtetuese në Serbi.
“Liria e tubimit dhe dialogu social janë gjithashtu një e drejtë themelore për ushtarët. Nëse qeveria serbe dëshiron të shfuqizojë sindikalizmin në forcat e armatosura, EUROMIL do t’i përgjigjet organeve ndërkombëtare si Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja”, tha EUROMIL.
Antiç tha katër muaj më parë se Unioni Ushtarak Serb kishte më shumë se 7 mijë trupa profesionale si anëtarë. Shifrat për numrin e ushtarëve profesionistë në Ushtrinë Serbe janë zyrtarisht sekrete, por në vitin 2021 besohet se ishin rreth 24-25,000.
Antiç është shkarkuar dy herë nga ushtria serbe gjatë viteve të fundit. Ai u shkarkua për herë të dytë në pesë vjet në korrik 2023, në ditën kur Unioni Ushtarak publikoi një letër të hapur drejtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke paralajmëruar për “situatën katastrofike në ushtrinë serbe”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





