Ministri i Jashtëm serb: BE-ja po e rrit presionin ndaj Beogradit

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se Brukseli është duke e rritur trysninë ndaj Serbisë pas kërkesës zyrtare për ta futur Marrëveshjen e Ohrit, me të cilat Beogradi nuk u pajtua, në kornizën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
“Tani po përpiqeni t’ia impononi Serbisë një detyrim përmes Bashkimit Evropian dhe Kapitullit 35, që nëse dëshiron të bëhet anëtare, duhet të ketë të ashtuquajturin zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe pjesën e marrëveshjes me të cilën nuk u pajtua”, tha Daçiç për TV Pink.
Më tej tha se Serbia nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, shkruajnë mediat kosovare.
“Presidenti serb u shkëput nga disa formulime që sugjerojnë se kjo është një lloj njohjeje e Kosovës dhe se jemi dakord që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare”, tha Daçiç.
Më 3 shkurt, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS) ia dorëzoi Këshillit të BE-së propozimin për ta ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok, duke e futur Kapitullin 35.
Me këtë propozim, detyrimet nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe nga Aneksi i zbatimit të saj, të miratuar marsin e kaluar në Ohër, janë formalisht pjesë përbërëse e procesit të negociatave për anëtarësim ndërmjet Beogradit dhe Brukselit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





