” Të zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR!”, presidenti Vuçiç pranon zgjedhjet e reja në Beograd

Serbi | 3 vite më parë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic deklaroi se i ka kërkuar Partisë së tij SNS dhe listes zgjedhore të saj, të shkojë në zgjedhje të reja në Beograd. Në një konferencë për shtyp, ai i bëri thirrje qeverisë të zbatojë menjëherë rekomandimet e bëra prej Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në raportin e publikuar për zgjedhjet e mbajtura dhjetorin e vitit të kaluar. “E di që keni shumicën, por është më mirë te humbasësh sesa të përsëritet situata e vitit 2008, kur Partia Demokratike dhe Socialistët kryen manipulime zgjedhore”, tha ai.

Raporti përfundimtar i ODIHR-it i cili u publikua në 28 shkurt, përcillte mesazhin se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi “janë dominuar prej pjesëmarrjes vendimtare të presidentit, i cili, bashkë me përparësinë sistematike të partisë në pushtet, kanë krijuar kushte jo të drejta për pjesëmarrësit”. “Në përgjithësi, thuhej aty, liritë themelore u respektuan në fushatë, por ato janë minuar prej retorikës së ashpër, paragjykimeve në media, presionit te punëtorët e sektorit publik dhe abuzimeve me burime publike”. 

Dy ditë më parë, edhe Parlamenti Europian miratoi një rezolutë që bënte thirrje për hetim ndërkombëtar për dyshimet për parregullsi në zgjedhje, si dhe për pezullim të fondeve evropiane, nëse vërtetohet që autoritetet kanë qenë drejtpërdrejt të përfshira në mashtrime zgjedhore. Në rezolutë, Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që sidomos të hetohen zgjedhjet për qytetin e Beogradit, si dhe dyshimet për dërgim të organizuar votuesish atje nga zona të tjera. 

Seanca konstituive për Asamblenë e qytetit të Beogradit, që është parashikuar të mbahet më 1 mars, u shty për herë të dytë për në 3 mars, për shkak të mungesës së kuorumit.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme