Vuçiq akuzon ndërkombëtarët për ndërhyrje: Ballkani do ishte më mirë po t’i zgjidhte punët vetë

Serbi | 2 vite më parë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka akuzuar ndërkombëtarët për ndërhyje në punët e Ballkanit Perëndimor. Në një intervistë për gazetën e Sarajevës Dnevni Avaz, Vuçiq tha se situata në të gjithë Ballkanin do të qetësohet kur njerëzit t’i marrin gjërat në duart e tyre dhe t’i zgjidhin problemet e tyre, pa ndërhyrjen e të huajve.

Presidenti serb tha se do ishte më mirë kur të mos ketë ndërmjetës në bisedime dhe gjërat të zgjidhen vetë mes palëve.

“Për ne, situata në të gjithë Ballkanin do të qetësohet dhe gjithçka do të jetë ndryshe pasi ne t’i marrim gjërat në duart tona dhe t’i zgjidhim problemet tona. Le të flasim për problemet, por le të jemi vetëm. Problemi është se të huajt nuk na lënë kurrë të flasim mes nesh”, tha Vuçiq.

Deklaratat e Vuçiq vijnë pas kritikave që DASH bëri për “Kuvendin gjithëserb”, duke thënë se “deklarata e përbashkët mes Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës (BeH), Republika Sërpska (RS), buron nga dezinformatat ligjore dhe është e mbushur me plot gabime”

“Deklarata nuk përbën mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, siç pretendojnë autorët, por është sulm i qëllimshëm ndaj kësaj marrëveshjeje dhe ndaj institucioneve të Bosnje e Hercegovinës. Kjo është e rrezikshme”, tha DASH.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme