Serbia thërret rezervistë, sipas analistëve vendi duhet të përgatitet për çdo skenar

Qytetarët në Serbi kanë filluar të marrin thirrje për t’u përfshirë në stërvitje ushtarake.
Aleksandar Radiç, analist ushtarak tha për revistën “Vreme” se thirrja e rezervistëve është një vendim i arsyeshëm, sepse në rast krize, përgjigja mund të vonohet. Radiç theksoi se forcat e armatosura serbe duhet të kryejnë trajnime të rregullta dhe të rifreskojnë vazhdimisht njohuritë dhe rutinat ushtarake. Ndonëse stërvitjet zhvillohen çdo vit në çdo njësi, kohët kanë ndryshuar, tha ai, duke iu referuar situatës gjeopolitike ndërkombëtare. I pyetur se me kë mund të hyjë në konflikt Serbia duke pasur parasysh se rrethohet nga shtete anëtare të NATO-s, Radiç u përgjigj se vendi duhet të jetë i përgatitur për çdo skenar.
Ndërsa koloneli Sasha Petroviç, përfaqësues i ushtrisë serbe, shpjegoi për mediat vendase se autoritetet nisin thirrjen e rezervistëve për shërbimin ushtarak me kërkesë të njësive të Forcave të Armatosura Serbe dhe gjithashtu bazuar në planet vjetore për thirrje dhe trajnim të personelit rezervë.
Sipas ligjit serb, rezervistët mund të thirren për stërvitje ushtarake për maksimumi 90 ditë në vit. Ata duhet t’i përgjigjen thirrjes dhe të marrin pjesë në kohën dhe vendin e caktuar. Pjesëmarrja në ushtrime është një detyrim ligjor dhe një mungesë e pajustifikuar mund të rezultojë me gjobë që varion nga 10 mijë deri në 50 mijë dinarë ose deri në 60 ditë burgim.
Thirrja për pjesëmarrje në stërvitje ushtarake nuk çon në zgjidhjen e kontratës së punës për rezervistin. Ndërsa ata që nuk janë në punë marrin kompensim për ndjekjen e stërvitjeve ushtarake, të barabartë me pagën neto të një ushtari profesionist.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





